Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar ditën e djeshme në Veri të Kosovës, atje ku qytetarë serbë protestojnë dhe reagojnë dhunshëm, edhe ndaj mediave.
Pak pas mesdite, makina e grupit të xhirimit të “News24” dhe “Panorama TV”, është goditur me gurë, ndërsa është rrezikuar jeta e shoferit të mjetit. Gazetari Osman Stafa në një lidhje “live” për “News24” tregoi se teksa ishte duke raportuar, një grup të rinjsh, rreth 5 persona, të maskuar, kanë goditur makinën. Ndërkohë, shoferi i mjetit, fatmirësisht nuk ka mbetur i plagosur.
Po të njëjtin dëmtim ka pasur dhe makina e A2CNN, ndërsa bëhet me dije se aty kanë qenë të dislokuara edhe forcat e KFORit por janë larguar duke mos ndërhyrë për të evituar sulmin e serbëve mbi mediat. Ky sulm në fakt përveç ekipeve të mediave tona është lëshuar edhe mbi disa media të tjera kryesisht shqiptare të Kosovës dhe të vendeve të ndryshme të Evropës, të cilat kanë shfaqur interes ta ndjekin nga afër konfliktin në Veriun e Kosovës. Ditën e djeshme kanë reaguar ashpër shoqatat për mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë duke dënuar sulmet, ndërkohë që u është bërë thirrje ekipeve mediatike të kenë kujdes në momentin e pozicionimit.
Po ashtu mbrëmë u bë me dije se një taksi me të cilën po udhëtonte një ekip i Radios Evropa e Lirë është sulmuar në Zubin Potok, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Nga ky sulm, që ndodhi teksa vetura ishte në lëvizje, asnjëri nga pjesëtarët e ekipit të REL-it nuk ka pësuar lëndime. Vetura është sulmuar pasi gazetarët e REL-it hipën në të, kur përfundoi protesta e serbëve në këtë komunë, pak pas orës 15:00. Banorët lokalë, pjesëmarrës të protestës, sulmuan veturën me një mjet shpërthyes. Pavarësisht se nuk dihet se me çfarë mjeti është sulmuar vetura, gazetarët thanë se shpërthimi ishte i fuqishëm.
Ekipet e gazetarëve të mediumeve të ndryshme, që kanë raportuar nga veriu i Kosovës lidhur me protestat e banorëve lokalë, kanë qenë cak i disa sulmeve më 30 maj, ka raportuar gjatë ditës Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Serbët kanë protestuar të martën edhe në Zveçan dhe Leposaviq, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.