Etleva Kurti është njëra nga 3 gratë që u vranë nga Dan Hutra më 1 Mars 2023. Etleva ishte motra e Vladimir Kurtit. Ky i fundit ka dhënë një intervistë nga burgu për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus dhe ndër të tjera ka folur edhe për ngarjen e 1 Marsit.
Mes lotësh ai ka treguar se si mësoi që motra e tij ishte vrarë nga Dan Hutra më 1 Mars.
Vladimir Kurti shprehet se Dan Hutra kërkonte t’i vriste të vëllain, por në shtëpi gjeti motrën e tij dhe e qëlloi me armë pas shpine.
Ndër të tjera, Kurti shton se Dan Hutra pasi doli nga burgu vitin e kaluar, kishte shkuar te lagjia e banesës së Vladimir Kurtit dhe kërkonte t’i gjente shtëpinë.
Spartak Koka: Si e more vesh që të ishte vrarë motra? Pra po flasim për ngjarjen e 1 Marsit 2023.
Vladimir Kurti: Unë e kam marrë vesh me anë të televizorit. Dha fillimisht për ato 2 të tjerat, pastaj aty dha dhe për motrën time. Unë e dija dhe për nënën. E dija dhe për nënën dhe kam dalë në telefon dhe kam folur me njerëz të mi çfarë po ndodh se s’po më hapin telefonin… në momentin që e kam parë. Pastaj më kanë thënë robt e mi që kam fol në telefon më thanë që kështu kështu janë te spitali ushtarak, më thanë nuk dimë gjë, bëhu i fortë më thanë, nuk dimë gjë janë gjallë a kanë vdek edhe kështu kam fillu tu fol atë ditë deri sa e mora vesh që nëna kishte shpëtuar…
Spartak Koka: A ke arritur të flasësh me nënën tënde pas ngjarjes dhe çfarë të ka rrëfyer?
Vladimir Kurti: Po si s’kam folur…kam folur.
Spartak Koka: Ta ka treguar momentin kur e ka goditur? Pra pse e ka lënë nënën tënde gjallë se ai ngre pretendimin se ‘e kam lënë gjallë – thoshte – që të qajë ….
Vladimir Kurti: Nëna më tha që ka hipur nga avllia dhe e ka goditur pas shpine. E ka parë aty me armë tha dhe i ka tentuar motra me ik me u fut brenda, aty e ka goditur pas shpine.
Spartak Koka: Pas shpine?
Vladimir Kurti: Po…
Spartak Koka: Po nënën tënde?
Vladimir Kurti: Nënën time, ai ka parë një komshie aty, ka qenë një komshie, nëna ime s’ka qenë fare aty. Ka parë atë komshien dhe ka kujtuar për atë komshien mos është nëna ime.
Spartak Koka: Ka folur me atë komshien?
Vladimir Kurti: Ai ka dashur të vrasë vëllain, po s’e ka gjetur vëllain aty edhe vrau motrën…
Spartak Koka: Ngjarje e rëndë, e dhimbshme.
Vladimir Kurti: Shumë shumë.
Spartak Koka: Çfarë raporti me pasur me Etlevën (motrën)? Si mund ta përshkruash marrëdhënien tënde me të?
Vladimir Kurti: E kam pasur atë raport që një herë po ta merrja në telefon me më sjell karta telefoni, më sill atë më sill këtë, ajo vinte direkt. Vinte me gjithë burrin e vetë.
Spartak Koka: Ke qenë shumë i lidhur me Etlevën?
Vladimir Kurti: Shumë, shumë… nuk e di… me zor po e përballoj.
Spartak Koka: Po Etleva ka lënë fëmijë? Ka qenë e martuar?
Vladimir Kurti: Jo, jo. Ka qenë 1 vit e gjysmë e fejuar.
Spartak Koka: Po atë ditë përse ka ardhur te shtëpia e nënës tënde?
Vladimir Kurti: Po do ikte i fejuari i vetë deri në Spanjë…
Spartak Koka: Atë ditë ka ardhur, nuk është se ka qenë më përpara?
Vladimir Kurti: Atë ditë. Ai ka pasur 1 javë që përgjonte, e kanë parë komshitë, ka shkuar ka pyetur, s’ka lenë vend pa pyetur ku e ka shtëpinë. Ne aty jemi dy familje, të dy jemi me të njëjtin mbiemër. Fillimisht e ka ngatërruar ai, ka shkuar te një shtëpi tjetër. I kanë thënë jo është kjo tjetra i kanë treguar. E pastaj ka pyetur aty rrugës njerëz ku e ka shtëpinë dhe ia kanë treguar. S’kanë ditur gjë se për çfarë e ka kërkuar.
Spartak Koka: Pra nuk është i vërtetë versioni që ai thotë ‘ma ka treguar adresën e saktë Marjana Gurakuqi’?
Vladimir Kurti: Po ku ta di unë çfarë ka bërë me Marjanën ai.. Ai ka pyetur. Kanë dalë njerëzit vetë kanë thënë që na ka pyetur. Komshinjtë aty kanë thënë që më ka pyetur edhe mua, më ka pyetur dhe mua. Është siguruar mirë ai, e kanë parë njerëzit rreth 6 muaj para se të binte brenda.
Spartak Koka: E kanë parë afër shtëpisë tënde?
Vladimir Kurti: Po.
Spartak Koka: Nuk ke pasur njerëz në shtëpi aty?
Vladimir Kurti: Po jo te shtëpia, e kanë parë aty te lagjia duke u sorrollatur me makinë.
Spartak Koka: Ke folur mbrapa pas kësaj ngjarje?
Vladimir Kurti: Po kam folur në telefon, më kanë treguar ata shokët…
Spartak Koka: Ndonjëherë në ndonjë moment, a mendove se mund realisht Dan Hutra të të vriste një pjesëtar të familjes gjatë gjithë kohës pas konfliktit?
Vladimir Kurti: Mua s’ma kishte marrë mendja kurrë.
Spartak Koka: Kurrë?
Vladimir Kurti: S’ma kishte marrë mendja kurrë që mund ta bëjë atë gjë.
Spartak Koka: Pra se nuk ishte konflikti në atë lloj niveli apo çfarë?
Vladimir Kurti: Duke u bazuar për konfliktin që ka pasur me mua këtu brenda në burg, kurrë s’do ta kishte bërë atë gjë. Sepse konflikte të tilla, sharje ndodhi pothuajse përditë. Nuk mundesh dot të bësh diçka për….s’e di, nuk di ç’a të them.