Vr*sja e 34-vjeçarit në Fushë-Krujë/ Familjarët ngrenë dyshime: E hodhën në kanal pasi…

by editor

ELVIS HILA

Një 34-vjeçar u gjet i vrarë mëngjesin e së premtes në zonën e Fushë-Krujës, në rrethana ende të paqarta.

Advertisements

Viktima u identifikua nga familjarët si Indrit Ndoj, i cili u gjet i vdekur në një rrugë dytësore si pasojë e një plumbi me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet rastësisht nga familjarët rreth orës 08:20 në lagjen “Bakushe Visha”, në një kanal të rrugës dytësore. Nga kryqja paraprake e trupit, u zbulua se 34-vjeçari kishte një dëmtim në këmbë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga një armë zjarri.

Burimet thanë se i riu ka marrë vetëm një plumb që i ka prekur arterien kryesore çka ka rezultuar fatale për të.

Advertisements

“Rreth orës 08:20, në lagjen ‘Bakishe Visha’, Fushë-Krujë, në një rrugë dytësore është gjetur i pajetë shtetasi I. N., 34 vjeç, banues ne fshatin Hasan, Krujë. Nga këqyrja paraprake, është konstatuar se 34-vjeçari ka një dëmtim në këmbë që dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri. Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sqaroi shkurtimisht Policia.

NËN ARREST SHTËPIAK

Indrit Ndoj, sipas dëshmive mbrëmjeve qëndronte në banesën e një të afërmi të larguar në emigracion në fshatin Hasan të Krujës pasi ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa familja e tij jetonte në FushëKrujë. Rrethanat mbeten të paqarta, por dyshimet janë se Indrit Ndoj është qëlluar gjatë natës dhe nga një distancë e afërt për arsye ende të panjohura për organet e hetimit.

Dinamika dhe motivet e vrasjes së 34-vjecarit po ashtu mbeten të paqarta. Indrit Ndoj rezulton person me precedentë penalë. Shtatorin e kaluar, ai u ndalua bashkë me Enea Babasin duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

DYSHIMET E FAMILJARËVE

Familjarët e të riut kanë dyshime se Indrit Ndoj mund të jetë vrarë diku tjetër dhe më pas trupi i tij është hedhur në zonën ku u gjet për të fshehur vendin e krimit. Mungesa e biçikletës me të cilën thuhet se ai lëvizte vazhdimisht, forcon dyshimet e tyre. Ekspertët e Policisë ende nuk kanë arritur në përfundime, ndërsa morën prova në vendngjarje që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së 34-vjeçarit.

TAKIMI I FUNDIT

Personi i fundit që ka komunikuar me 34- vjeçarin ka qenë nëna e tij, e cila tha për oficerët e Policisë se ka folur me të birin pasditen e djeshme. Nëna ka deklaruar se ka pyetur të birin nëse do të shkonte në shtëpi në mënyrë që t’i bënte bukën, dhe 34-vjeçari i ka thënë se do të vijë.

Nëna tha gjithashtu për oficerët e Policisë se familja e tyre nuk ka asnjë konflikt, as një lagje dhe me askënd tjetër. Kjo e bën edhe më të vështirë punën e autoriteteve për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorit apo autorëve të përfshirë në ngjarje.

Grupi hetimor bën me dije se nga kompanitë telefonike janë kërkuar gjithashtu tabulatet në mënyrë që të zbulohen personat me të cilët i riu ka kontaktuar para se të ekzekutohej.

TË NGJASHME